Roli i akademisë dhe punës sociale në eliminimin e dhunës ndaj vajzave dhe grave
Dr. Kaltrina Kusari
MSW Kanarina Shehu
Prof. Asoc. Dr. Vjollca Krasniqi
25 Nëntori shënon Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe fillimin e 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore. Si 25 Nëntori, ashtu edhe 16 Ditët e Aktivizmit i kushtohen ndërgjegjësimit dhe mobilizimit të secilit prej nesh për t'i dhënë fund një prej shkeljeve më të përhapura dhe tinëzare të të drejtave të njeriut në nivel lokal dhe global. Kjo ditë shërben si një kujtesë për nevojën urgjente për të çrrënjosur të gjitha format e dhunës që ushtrohen mbi vajzat dhe gratë, qëllim ky që kërkon përpjekje kolektive, edukim, parandalim, mbrojtje, fuqizim dhe rehabilitim. Puna sociale në akademi dhe praktikë ka rol të rëndësishëm në eliminimin e dhunës ndaj vajzave dhe grave.
Është fakt, dhuna ndaj vajzave dhe grave është një epidemi globale që prek vajzat dhe gratë e të gjitha moshave, prejardhjeve dhe statuseve socio-ekonomike. Statistikat tregojnë që 1 në 3 gra në mbarë botën ka përjetuar dhunë fizike ose seksuale, shpesh të ushtruar nga një i njohur (UN Women, 2023). Dhuna ndaj vajzave dhe grave merr forma të ndryshme, duke përfshirë dhunën në familje, ngacmimin seksual, dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Këto mizori jo vetëm që shkaktojnë dëm të menjëhershëm, por gjithashtu lënë plagë afat-gjata psikologjike, emocionale dhe fizike, duke penguar aftësinë e vajzave dhe grave për të bërë jetë të kënaqshme.
Për më shumë këto shifra nënvizojnë urgjencën për të trajtuar shkaqet rrënjësore të dhunës dhe për të çmontuar strukturat që përjetësojnë pabarazinë gjinore. Rrugëtimi drejt eliminimit të dhunës ndaj vajzave dhe grave ka plot sfida. Normat gjinore të rrënjosura thellë, barrierat kulturore dhe kornizat e papërshtatshme ligjore shpesh përjetësojnë një kulturë të heshtjes nga viktimat dhe mosndëshkimit të ushtruesve të dhunës. Për të realizuar ndryshime reale, shoqëritë dhe institucionet duhet të njohin dhunën me bazë gjinore si çështje e të drejtave të njeriut dhe rrjedhimisht si çështje publike, të përballen me këto norma, të sfidojnë stereotipet e dëmshme, dhe të krijojnë mjedise që fuqizojnë vajzat dhe gratë që të kërkojnë ndihmë dhe të flasin kundër dhunës pa frikën e fajësimit dhe ndëshkimit.
Duke studjuar me vëmendje shkaqet dhe pasojat e shumta të dhunës me bazë gjinore, punëtorët social në akademi mund të kontribuojnë ndjeshëm në eliminimin e saj. Brenda akademisë, punëtorët socialë mund të mbështeten në kërkim, edukim, avokim, dhe angazhimin e komunitetit për ndryshim pozitiv shoqëror. Së pari, hulumtimet që synojnë të kuptojnë shkaqet rrënjësore, dinamikën dhe pasojat e dhunës me bazë gjinore janë të rëndësishme, pasi gjetjet nga projekte të tilla kërkimore do të informojnë ndërhyrjet dhe politikat kyçe që ndikojnë në parandalimin e saj dhe ofrimin e shërbimeve për të mbijetuarat e dhunës ne bazë gjinore. Përveç kësaj, kërkimi mund të përdoret për të analizuar tendencat ekzistuese, modelet dhe boshllëqet në shërbimet për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore. Krahas këtyre ndikimeve, kërkimet mund të kontribuojnë në identifikimin dhe adresimin e rrethanave gjinore të cilat cënojnë përmbushjen e plotë të të drejtave për vajzat dhe djemtë. Për këtë qëllim, kërkimi u mundëson punëtorëve socialë të angazhohen në avokimin e politikave, pasi gjetjet mund të përdoren për të ndikuar në politikat që trajtojnë dhunën me bazë gjinore, dizajnimin e shërbimeve sociale për të mbijetuarat e dhunës dhe fuqizimin e një shoqërie që trajton vajzat dhe djemtë nga pikëpamja e interesit të tyre më të mirë. Punëtorët socialë mund të përdorin ekspertizën e tyre për të informuar politikëbërësit për nevojën për qasje gjithëpërfshirëse dhe të përqendruara te të mbijetuarit. Hulumtimi mund të çojë gjithashtu në zhvillimin e programeve kreative që angazhon ushtruesit e dhunës me bazë gjinore për të sfiduar normat gjinore që normalizojnë veprimet e tyre.
Së dyti, punëtorët socialë në akademi duhet të zhvillojnë dhe përmirësojnë programe dhe lëndë studimi të cilat fokusohen veçanërisht në dhunën me bazë gjinore, kujdesin e informuar për traumat (trauma-informed care) dhe drejtësinë sociale. Lëndë të tilla mund të edukojnë punëtorët socialë të ardhshëm mbi kompleksitetin e trajtimit të dhunës me bazë gjinore në kontekste të ndryshme. Ndër të tjera, lëndë të tilla duhet të integrojnë trajnim për aftësi praktike që u mësojnë studentëve se si të punojnë me të mbijetuarat, të bashkëpunojnë me ekipe shumë-disciplinare, dhe të përfshijnë komunitetin në këto ndërhyrje. Përveç kësaj, edukimi universitar duhet të mësoj punëtorët e ardhshëm socialë se si të angazhohen me natyrën e politizuar të punës sociale, në mënyrë që studentët të kuptojnë më mirë rolin e ideologjive gjinore dominuese në mënyrën se si ofrohen shërbimet sociale për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore.
Së treti, përdorimi i një thjerrëze ndërthurrëse në hulumtime dhe praktikë është kyç për përgatitjen e punëtorëve socialë që do mbështesin të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore, si dhe fëmijët e tyre. Kjo do të thotë se institucionet arsimore duhet të ofrojnë trajnime të specializuara për studentët dhe profesionistët e punës sociale se si të identifikojnë, vlerësojnë, dhe ndërhyjnë në rastet e dhunës me bazë gjinore. Kjo përfshin zhvillimin e programeve të trajnimit që trajtojnë kompetencën kulturore, ndërthurjen, dhe nevojat unike të popullatave të ndryshme të prekura nga dhuna me bazë gjinore. Megjithatë, trajnime të tilla nuk mund të krijohen përderisa punëtorët socialë në akademi e mendojnë veten si "punëtor socialë ekspert", por duhet të jenë të rrënjosura në bashkëpunime që u jep rëndësi kyçe zërave të të mbijetuarave dhe njohin punën e rëndësishme që organizatat e shoqërisë civile bëjnë për të rritur ndërgjegjësimin për dhunën me bazë gjinore, prevalencën e dhunës, dhe burimet e disponueshme për parandalim dhe mbështetje. Një gjë e tillë do t'i lejojë punëtorët socialë të qëndrojnë të përkushtuar ndaj praktikës kundër-shtypëse (anti-oppressive practice).
Së katërti, duke qenë se dhuna me bazë gjinore është e shumë anshme, punëtorët socialë mund të bashkëpunojnë edhe me profesionistë nga disiplina të tjera si juridiku, mjekësia, psikologjia dhe sociologjia, për të zhvilluar qasje holistike për trajtimin e dhunës me bazë gjinore. Kjo qasje ndërdisiplinore do të na lejojë neve, si praktikues, studiues, dhe akademikë të punës sociale, të eksplorojmë zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të ndajmë ekspertizën mbi natyrën ndërthurrëse të dhunës me bazë gjinore. Duke vepruar kështu, ne jo vetëm që kontribuojmë në iniciativat lokale të cilat fokusohen në parandalimin dhe eliminimin e dhunës me bazë gjinore, por gjithashtu mbështesim përpjekjet ndërkombëtare për të trajtuar dhunën me bazë gjinore.
Duke u angazhuar në mënyrë aktive në këto aktivitete, punëtorët socialë në akademi mund të luajnë një rol kyç në avancimin e njohurive, formimin e politikave, dhe trajnimin e profesionistëve të ardhshëm. Në këtë mënyrë Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave nuk është thjesht një ditë reflektimi për punëtorët socialë, por edhe thirrje për veprim. Çdo punëtor/e social/e, pavarësisht nga gjinia, ka një rol për të luajtur në këtë përpjekje kolektive. Avokimi, mbështetja për të mbijetuarat dhe sfidimi i praktikave diskriminuese janë mënyra të prekshme përmes së cilave punëtorët socialë dhe komunitetet mund të kontribuojnë në lëvizjen globale për t'i dhënë fund dhunës ndaj vajzave dhe grave.