Shërbimet sociale: Shtyllë e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve
Ahmet Kryeziu, Drejtor Ekzekutiv, Save the Children Kosova/o
Tri vite më parë, në muajin qershor, Kosova u bë shteti i 55-të në botë që ndaloi ndëshkimin trupor të fëmijëve, në çfarëdo forme, në të gjitha mjediset. Që nga atëherë, shteti ynë garanton se gjithëpërfshirja, interesat dhe pikëpamjet e fëmijëve vendosen në qendër të familjes, të institucioneve edukativo-arsimore dhe të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve. Këto kthesa pozitive për të drejtat e fëmijëve u arritën përmes aprovimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Këto garanci ligjore kërkojnë përkushtim mbarëshoqëror për tu zbatuar aty ku marrin efekt të menjëhershëm – në jetërat e fëmijëve.
Punëtorët social janë rreshti i parë i njerëzve që ndihmojnë fëmijët për të identifikuar dhe menaxhuar rreziqet ndaj tyre - qoftë në shtëpi, në shkollë apo në çfarëdo mjedisi tjetër. Duke mundësuar qasje në shërbime tjera themelore dhe duke sfiduar praktikat e dëmshme shoqërore që cënojnë integritetin e fëmijëve, punëtorët social përbëjnë hallkën më të rëndësishme të një sistemi të mirëfilltë të mbrojtjes së fëmijëve.
Shoqëria jonë shpesh është sfiduar në shtyllat më të ndjeshme të saj – në nivel të familjes, të shkollës, të komunitetit dhe të institucioneve. Si rezultat, fëmijët janë përballur dhe vazhdojnë të përballen me pengesa në zhvillimin dhe mirëqenien e shëndetit fizik, mendor dhe emocional. Këta fëmijë kanë nevojë të ushqehen shëndetshëm, të luajnë, të mësojnë dhe të fitojnë shkathtësi se si të funksionojnë me sukses në jetë, bashkë më fëmijët e tjerë dhe me të rriturit.
Për ti ndihmuar fëmijët të mësojnë se çka u garanton Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, se kush obligohet që ti mbrojë, se ku mund të kërkojnë llogaridhënie dhe çfarë përgjegjësi u takojnë, Save the Children Kosova/o po lanson udhëzuesin “Unë kam një Ligj që më mbron”. Ky udhëzues është krijuar për fëmijët, nga fëmijët dhe me ndihmën e të rriturve.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Save the Children bën thirrje tek bartësit e detyrave institucionalë që të monitorojnë vazhdimisht zbatimin e ligjit, të rrisin investimet publike për shtrirje të mirëfilltë të shërbimeve sociale sociale në mbarë vendin, si dhe të përforcojnë bashkëpunimin për të ju mundësuar fëmijëve pjesëmarrjen në vendim-marrje publike.
Ju mund të ndihmoni këtë thirrje duke e shpërndarë këtë blog me rrjetet tuaja sociale, për të ngritur vetëdijen e përgjithshme rreth rëndësisë së shërbimeve sociale cilësore në përmirësimin e jetërave të fëmijëve.