Prof. Asoc. Dr. Vjollca Krasniqi
Këtë vit Dita Botërore e Punës Sociale ka moton “Respektimi i diversitetit përmes veprimit të përbashkët shoqëror”. Kjo moto, që derivon nga Karta për një Eko Botë të Re Shoqërore, thekson nevojën për vëmendje në ndryshimin shoqëror në rrafsh lokal përgjatë komuniteteve të ndryshme udhëheqëse. Sot promovojmë fuqinë e veprimit lokal të komuniteteve të ndryshme për zhvillim shoqëror, drejtësi shoqërore dhe paqe të qëndrueshme. Promovimi i diverstitetit është vlerë fundamentale e punës sociale. Në këtë ditë punëtorët socialë theksin e vёnё në fuqinë e komuniteteve lokale për veprim për zhvillim shoqëror gjithëpërfshirës. Duke aplikuar metoda të gjithëpërfshirjes që mënjanojnë diskrimimin shoqëror të bazuar në gjini, etni, racë, religjion, apo prejardhje, zhvillojmë mendim për praktika më të mira në punën me komunitete për progres shoqëror.
Si edhe mё herёt, sot puna sociale, ka rëndësi jetike për individët, familjet dhe komunitetet në adresimin e të drejtave për të siguruar jetesë të lirë nga varfëria, shtypja, përjashtimi dhe margjinalizimi. Dita Botërore e Punës Sociale është një moment për të reflektuar mbi fuqinë e komuniteteve të ndryshme dhe diversitetit për zhvillim shoqëror që nuk lë askënd mbrapa. Po ashtu, Dita Botërore e Punës Sociale është një moment njohje i të arriturave, por edhe e punës përpara me udhërrëfim të vlerave dhe standardeve ndërkombëtare të profesionit.
Sot po bashkojmë komunitetin e punëtorëve socialë, studentëve, studiuesve dhe partnerëve lokalë dhe ndërkombëtarë rreth platformës online për veprim të përbashkët. Me kënaqësi po lansojmë platformën Puna Sociale.info për të mbështetur dhe fuqizuar praktikën dhe arsimin e punës sociale në Kosovë. Platforma Puna Sociale.info është një hapësirë për informim rreth politikës sociale, legjislacionit dhe kornizës institucionale, programeve të arsimit dhe zhvillimit të vazhdueshëm profesional, studimeve, si dhe Forum për shkëmbim të përvojave të komunitetit të punëtorëve socialё për tё çuar përpara dialogun rreth çështjeve sociale dhe mirëqenies në Kosovë.
Urime Dita Botërore e Punës Sociale 2023 të gjithë punëtorëve socialë në Kosovë dhe mё gjerё!