Moduli mbi Psikologjinë Zhvillimore
në Institucionet Publike UniversitareRreth këtij trajnimi
Psikologjia e zhvillimit studion të gjitha ndryshimet që lindin natyrshëm përgjatë gjithë jetës. Njohja e ndryshimeve fizike, motorike, kognitive dhe psikosociale të fëmijëve dhe adoleshentëve, është e një rëndësie të veçantë për punën e ofruesve të shërbimeve sociale. Të kuptuarit e këtyre aspekteve zhvillimore, është bazë e vlefshme për vlerësimin e gjendjes reale, sjelljes së fëmijëve dhe adoleshentëve, gjithnjë me qëllimin e ndërtimit të qasjeve të drejta dhe cilësore për përfituesit e shërbimeve sociale në përgjithësi. Moduli në fjalë, do të ofrojë të dhëna mbi aspektet zhvillimore për periudhën e foshnjërisë, moshës parashkollore, fëmijërisë së mesme dhe të vonë, si dhe adoleshencës.
Qëllimi i modulit
Njëra nga komponentet e projektit qëndron në zhvillimin e modulit për Psikologji Zhvillimore. Moduli dhe materialet që do të zhvillohen, do të përdoren për trajnimin e dhjetë trajnerëve të përzgjedhur në nivel kombëtarë dhe profesionistëve të tjerë të shërbimeve sociale në Kosovë.
Qëllimi i këtij moduli është ofrimi i njohurive mbi zhvillimin e ndryshimeve që lindin natyrshëm në jetën njerëzore. Pjesëmarrësit e trajnimit do të përfitojnë njohuri në fushën e psikologjisë së zhvillimit, me fokus në aspektet zhvillimore të fëmijëve dhe adoleshentëve, me qëllim të përgatitjes së tyre për njohje, kuptim e vlerësim të sjelljes dhe komponenteve të tjera zhvillimore. Njohja e zhvillimit fizik, kognitiv, dhe psikosocial të fëmijëve dhe adoleshentëve, është një bazë e vlefshme për mundësi mbështetje dhe intervenimi. Për më tepër, temat që përfshinë moduli në fjalë, përmes pjesëmarrësve të trajnimit, do të transmetohen edhe tek punëtorët e tjerë që gjenden në vijën e parë të frontit për mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve.