Moduli mbi Shëndetin Mendor, Trajtimi dhe Referimi i Rasteve
në Institucionet Publike UniversitareRreth këtij trajnimi
Në kuadër të projektit “Përmirësimi i qasjes në Shëndetin Mendor dhe Shërbimet Psikosociale (MHPSS) për fëmijët dhe familjet dhe vlerësimi i ekosistemit dixhital për mësim të vazhdueshëm online” janë zhvilluar disa module për trajnimin e dhjetë trajnerëve të përzgjedhur në nivel kombëtar dhe profesionistëve të tjerë të shërbimeve sociale në Kosovë.
Njëra nga komponentet e projektit qëndron në zhvillimin e modulit për Shëndetin mendor dhe moduli dhe materialet që do të zhvillohen, do të përdoren për trajnimin e këtyre trajnerëve. Shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa edhe shëndeti fizik, prandaj është shumë e rëndësishme që të bëjmë dallimin midis shëndetit normal mendor dhe çrregullimeve mendore. Shpesh dallimi nuk është aq i qartë. Për shembull, nëse keni frikë të mbani një fjalim në publik, nuk do të thotë se keni një çrregullim të shëndetit mendor ose një rast nervor të rëndë.
Të jetuarit me një sëmundje mendore mund të paraqesë sfida për shumë individë, familje dhe komunitete. Për disa njerëz, sëmundjet mendore mund ta bëjnë jetën e përditshme të vështirë. Punonjësit social janë ata që luajnë një rol kritik në përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme dhe shëndetit mendor në shoqërinë tonë. Punonjësit social ndihmojnë në lehtësimin e vuajtjeve të njerëzve, luftojnë për drejtësi sociale dhe përmirësojnë jetën dhe komunitetet. Edhe pse shumica e njerëzve mendojnë për punonjësit social kur mendojnë për zbutjen e varfërisë dhe mirëqenien e fëmijëve, dihet që punonjësit social bëjnë shumë më tepër.
Ky modul i dedikohet përballjës së tyre me problemet e shëndetit mendor duke ofruar një përmbledhje për shëndetin mendor në përgjithësi, dhe mënyrën e trajtimit të problemeve. Gjithashtu, ofron të dhëna për mundësitë e referimit të klientëve në institucionet e shëndetit mendor kur është e nevojshme.
Qëllimi i modulit
Qëllimi i këtij moduli konsiston në ofrimin e njohurive për shëndetin mendor. Gjatë këtij trajnimi pjesëmarrësit do të mësojnë më shumë rreth temave si: Shëndeti Mendor, Psikopatologjia, Çrregullimet Mendore, Trajtimi dhe Referimi. Pjesëmarrësit në trajnim do të përfitojnë njohuri për shëndetin mendor në përgjithësi dhe për çrregullimet mendore në veçanti, si dhe psikopatologjinë. Pjesëmarrësit gjithashtu do të njihen me shërbimet e shëndetit mendor dhe do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi të vlerësimit të nevojës për trajtim për shkak të problemeve të shëndetit mendor, adresim të urgjencave të çrregullimeve mendore, referim dhe marrjen e vendimeve të drejta për referim si dhe diskutim dhe adresim të ndryshimeve institucionale në funksion të përmirësimit të komunikimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.